Ashtu si çdo verë edhe këtë vit, turistët britanikë kryesojnë listën e pushuesve problematikë në destinacionet europiane, ndërsa nuk kanë munguar as rastet kur tentojnë të hapin dyert e avionëve gjatë udhëtimeve të tyre.
Dy raste të tilla janë dokumentuar me video nga tabloided britanike dhe tregojnë dy pasagjerë agresivë të cilët neutralizohen nga policia dhe udhëtarët e tjerë në avion, pasi tentojnë të hapin derën në fluturim e sipër.
Rasti i parë ndodhi në fluturimin LS124 të Jet2, me avionin që ishte nisur nga Turqia dhe kishte për destinacion Glasgow në Skoci.
Pasagjerët britanikë mbetën të frikësuar për jetën kur njëri prej tyre në gjendje të dehur dyshohet se u përpoq të hapte derën e avionit, duke e detyruar kapitenin të bënte një ulje emergjente në Sofje.
Fluturimi në fjalë ishte i mbushur me pushues që po ktheheshin në shtëpi nga destinacioni turistik i Bodrumit.
Video e shpërndarë në rrjetet sociale tregon burrin që pengohet dhe i bën rezistencë oficerëve të policisë bullgare, ndërsa pasagjerët e inatosur bërtasin në kor me thirrjen “idiot” përkundrejt tij.
Një skenë e ngjashme është regjistruar më 30 qershor edhe në një fluturim të Ryanair nga Kroacia, ku një pasagjer po britanik tenton të hapë derën e avionit përpara nisjes.
Ai shihet duke u bërtitur pasagjerëve të tjerë dhe ekuipazhit të kabinës në korridor, teksa avioni përgatitet të niset nga Aeroporti i Zadarit.
Në një seri videosh të shpërndara në TikTok, burri shihet duke ngritur grushtin drejt derës së avionit, ndërsa pasagjerët e tjerë dëgjohet të bërtasin ‘oh zot!’.
Ndërkohë, disa pasagjerë tregohen të guximshëm dhe e shtyjnë burrin problematik duke e hedhur në dysheme, para se forcat policore të Zadarit ta largojnë duke e tërhequr zvarrë përgjatë pistës.