Policia ka vënë në pranga një 47-vjeçar i cili shpërndante doza kanabisi në Lushnje dhe në fshatrat e Divjakës.
47-vjeçari Anil Canka, u ndalua nga Policia në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, teksa po udhëtonte me automjetin e tij, ku pas kontrollit nga efektivët, u konstatua se posedonte doza kanabisi gati për shitje.
Policia ka sekuestruar 1000 doza kanabis, peshore elektronike, 7 aparate celularë dhe automjeti “Volswagen”.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Sektorit Operacional të DVP Fier, pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, të një rasti të shitjes në doza, të lëndës narkotike kanabis, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Delivery”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi A. C., 47 vjeç, banues në Lushnjë.
Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”, ndërkohë që po udhëtonte me automjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në qindra doza, gati për shitje”, njofton policia.