“Edhe 1000 herë të kthehesha pas, do ta bëja sërish.” Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama për nismën e Ballkanit të Hapur nga Maqedonia e Veriut ku po mban një konferencë për shtyp me homologun Dimitar Kovačevski.
Kreu i qeverisë ka nisur sot turin e Ballkanit, i cili bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit.
I pyetur nga gazetarët nëse mori mësim nga Ballkani i Hapur dhe fakti që Kosova mbeti jashtë, Rama theksoi se nisma nuk është aspak përjashtuese teksa shtoi se në kuadër të saj janë ndërmarrë 72 iniciativa në rajon.
Kurse, i pyetur për hezitimin e deritanishëm të kryeministrit Kurti për një takim bilateral, Rama theksoi se ende shpreson për një përgjigje pozitive.
“Na lini ta trajtojmë mes shqiptarësh. Kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmin duhet ta presësh…Sa i përket asaj të vëllazërisë apo gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot. Nuk mund të rrimë në të shkuarën e të anatemojmë njëri-tjetrin. Patrioti i vërtetë është ai që do vendin e vet dhe s’i do të keqen askujt tjetër.”
Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, vlerësoi po ashtu rolin që nisma Ballkani i Hapur pati në rajon. Ai shfrytëzoi gjithashtu rastin për të bërë thirrje për de-përshkallëzimin e situatës Kosovë-Serbi ndërsa u bëri thirrje palëve që të zbatojnë obligimet e marra me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve.