Policia e Tiranës ka arrestuar personin e parë të dyshuar, si të përfshirë në atentatin me armë zjarri ndaj Gentian Bejtjas në Larushkë të Kujës, ku mbeti i vrarë kunati i tij, Ramazan Sino, si dhe u plagosën dy fëmijët e shënjestrës që udhëtonin në makinë.
Mësohet se personi i arrestuar është 37 vjeçari Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një emër i njohur nga drejtësia, i cili ishte shoqëruar më herët për ngjarjen e 3 ditëve më parë dhe më pas ishte lënë e lirë.
Policia informon se gjatë aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit janë konstatuar gjurmë baruti, çka ka shtyrë ekspertët të dyshojnë se ka qëlluar me armë zjarri.
Mbi bazën e kësaj ekspertize Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë lëshoi urdhrin e ndalimit për Valter Bamin për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Objektivi i sulmit në Larushkë ishte Gentian Bejtja, i cili i kishte shpëtuar më herët dhe dy atentateve të tjera. Autorët e sulmit kishin ndjekur lëvizjet e shënjestrës dhe qëlluan me breshëri automatiku teksa makina po hynte në ambientet e banesës.
Pas hetimeve, u zbulua se Bejtja kishte zbritur nga makina përpara se të shkonte në shtëpi, duke bërë që autorët të derdhin plumbat mbi kunatin e tij Ramazan Sino, i cili ndërroi jetë.