Oleksiy Reznikov, ministri ukrainas i Mbrojtjes, përshëndeti vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dërguar bombat thërrmuese në Kiev, duke thënë se ato do të ndihmojnë në çlirimin e territorit ukrainas dhe premtoi se municionet nuk do të përdoren në Rusi.
Ministri Reznikov tha se municionet do të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të ushtarëve ukrainas, duke shtuar se Ukraina do të mbajë të dhëna të rrepta të përdorimit të tyre dhe do të shkëmbejë informacione me partnerët e saj.
“Qëndrimi ynë është i thjeshtë. Ne duhet të çlirojmë territoret tona të pushtuara përkohësisht dhe të shpëtojmë jetët e njerëzve tanë. Ukraina do ta përdorë këtë municion vetëm për të çliruar territoret tona të njohura ndërkombëtarisht. Ky municion nuk do të përdoret në territorin rus”, shkroi Reznikov në Twitter.
Në përgjigje të dërgimit të këtij lloji municioni nga SHBA në Ukrainë, Britania e Madhe, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja thanë se kundërshtojnë përdorimin e tyre. Municionet thërrmuese janë të ndaluara në më shumë se 100 vende. Ato kryesisht lëshojnë një numër të madh bombash më të vogla që mund të vrasin njerëz në një zonë të madhe.