Mungesa e fuqisë punëtore, e cila ka prekur veçanërisht sektorin e turizmit ishte tema që u diskutua mes të ftuarve në “A2Bussines”.
Kreu i shoqatës së operatorëve turistikë, Vasil Bedini tha se veçanërisht në Vlorë, bizneset që operojnë në sektorin e turizimit kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë nëpëmjet lehtësirave fiskale në një hapësirë 90 ditore.
Ai u shpreh se turizmi në Vlorë nuk është më sezonal si 10 vite më parë dhe kjo e ndihmon industrinë të qëndrojë e fortë, por sigurisht ka subjekte të vogla që mund të mbështeten sipas tij me të njëjtën skemë subvencionimi në turizëm, siç aplikohet nga qeveria në Greqi.
“Vlora nuk është më sektori i një turizmi sezonal. Para 10 vjetësh po thoshim 35-40 ditë, tani kemi kaluar në 170-180 ditë sezon. Në momentin që bie sezoni shumë të rinj dhe të reja që janë studentë na largohen. Ne kemi subjektet tona që në dhjetor dhe janar kërkojnë punëtorë. Gjithë vitin, ajo që kemi bërë kërkesë te qeveria është se ne kemi nevojë për një mbështetje jo më shumë se 90 ditë. Jo subjektet e mëdha që garantojnë punë për stafin 12 muajt e vitit, por ka subjekte të vogla që nuk e arrijnë ta plotësojnë vitin dhe ngelen për atë tre mujor. Ata detyrohen ta lënë të lirë punëtorin, ai ikën jashtë shtetit duke kërkuar alternativë tjetër. Kjo është pjesa që i kemi kërkuar qeverisë dhe ministrisë së Turizmit që për këto 3 muaj të japin një mbështetje siç e ka dhe Greqia”, u shpreh Bedini.
E pyetur në lidhje me këtë kërkesë të operatorëve turistikë, zv/ministrja e Turizmit, Vilma Bello u shpreh se ka diskutime në qeveri në lidhje me një paketë ndihmash për sektorin në fjalë.
Gjasat janë sipas saj që të arrihet në të ardhmen në një vendimmarrje të tillë, që të mbështetet turizmi me taksat e hotelit apo uljen e TVSH-së.
“Ajo që qeveria ndërhyn, më vjen mirë që flasim për rritje pagash në sektorin privat., Ka ardhur me kohë ,me konsolidimin e sektorit dhe konsolidimin në mentalitet të operatorëve privatë. Nëse qeveria ndërhyn me rritjen e pagës minimale, impakton drejtpërsëdrejti sektorin privat. Së dyti është mbështetje shumë e madhe që i japim shkollave profesionale. Nëse ne rrisim numrin e nxënësve me këtë politikë promovuese. Ne kemi nevojë për shërbime bazike. Kuzhina shqiptare ka krijuar një brand kaq të ndjeshëm, sa kërkohen edhe shefa shqiptarë. Ajo që shtetit i kërkohet, shteti ka ndërhyrë në këto dy pika që përmenda më parë. Jemi në diskutime, akoma nuk ka një vendimmarrje, por ashtu siç ka qenë reagimi i qeverisë për fasonët, për rritje dhe mbështetje qoftë edhe në sektorin e turizimit për taksat e hotelit, uljen e TVSH-së apo ndihma shumë të mëdha që janë dhënë në mbështetjen e agroturizmit, besoj se do të shkojmë hap pas hapi edhe në një vendimmarrje të tillë”, tha Bello.