Një valë të nxehti po përfshin pjesë të Europës Jugore dhe Afrikës veriperëndimore, me temperatura të mundshme rekord në ditët në vijim. Termometri pritet të shkojë mbi 40 gradë celsius në pjesë të ndryshme të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë. Në Itali, temperaturat mund të arrijnë deri në 48.8 gradë celsius.
Një paralajmërim alarmi i kuq është lëshuar për 10 qytete, përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen. Ka pasur raportime edhe për probleme të shumta shëndetësore nga qytetarë e turistë në shumë shtete të Europës. Stuhia e të nxehtit përvëlues është pagëzuar me emrin “Cerberus”, sipas përbindëshit me tre koka të ferrit të Dantes.
Këshilla e ekspertëve botërorë për qytetarët është që të shmangin ekspozimin në diell në pikun e vapës. Për shkak të valëve të të nxehtit, në Europë humbën jetën më shumë se 60 mijë persona vitin e kaluar.