Të paktën 289 fëmijë kanë vdekur ose janë zhdukur këtë vit në përpjekje për të kaluar rrugën e rrezikshme të migrimit nga Afrika e Veriut në Evropë. Të dhënat janë bërë publike nga UNICEF.
Bëhet fjalë për rreth 11 fëmijë që vdesin ose zhduken çdo javë ndërsa kërkojnë siguri, paqe dhe mundësi më të mira.
Që nga viti 2018, UNICEF vlerëson se rreth 1500 fëmijë kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun.
Ky numër korrespondon me 1 në 5 nga 8,274 personat e vrarë ose të zhdukur përgjatë rrugës, sipas të dhënave nga Projekti i IOM-it për Emigrantët e Zhdukur.
Agjencia evropiane Frontex raportoi se në 6 muaj, mbërritjet u rritën me 140%.
Megjithatë, sipas vlerësimeve, shifrat reale mund të jenë akoma më të mëdha. Shumë anije të mbytura gjatë kalimit të Mesdheut qendror nuk lënë të mbijetuar ose nuk janë regjistruar, duke e bërë praktikisht të pamundur verifikimin e shifrës reale të fëmijëve të vdekur.
Muajt e fundit, emigrantë shumë të rinj kanë qenë ndër ata që kanë humbur jetën në këtë rrugë, në rrugë të tjera përtej Mesdheut dhe në ujërat e Atlantikut nga Afrika Perëndimore.