Momente frike dhe paniku janë regjistruar pasditen e kësaj të premte në qytetin e Padovas, ku karabinierët kanë qëlluar për vdekje një 55-vjeçar shqiptar, i denoncuar për përndjekje nga ish-bashkëshortja.
Mediat vendase raportojnë se Haxhi Çollaku, ndodhej në hyrje të shtëpisë së ish-gruas së tij, në lagjen Sacra Famiglia dhe ishte kjo e fundit që njoftoi karabinierët.
Menjëherë mbërriti në vendngjarje një patrullë, me agjentët që i kërkuan të largohej prej andej, pasi për ish-bashkëshorten kishte urdhër mbrojtje në fuqi, që e ndalonte 55-vjeçarin të afrohej në zonë.
Në fillim u duk sikur ai hoqi dorë dhe u largua drejt furgonit të tij, duke pritur që karabinierët të përfundonin marrjen e të dhënave personale dhe përgatitjen e raportit për ngjarjen.
Por shqiptari zgjodhi një rrugë tjetër dhe ka ndezur makinën duke goditur karabinieren përballë tij, e cila ngeci e lënduar mes furgonit dhe makinës së shërbimit.
Por agresiviteti i 55-vjeçarit nuk përfundoi aty, sepse pasi doli nga kabina tentoi që me thikën të cilën e mbante në dorë të godiste karabinieren.
Në këtë moment kolegu i kësaj të fundit ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të shqiptarit të dhunshëm katër herë.
Viktima ka marrë dy plumba në trup dhe dy në këmbë. Raportohet se ai ndërroi jetë në spitalin e Padovës, ku mbërriti në gjendje të rëndë.
Karabinieria 40-vjeçare e goditur prej tij me furgon, raportohet se ka pësuar lëndime në disa pjesë të trupit dhe ka thyer këmbët. Ajo ndodhet e shtruar në spital, por gjendja për momentin nuk paraqitet e rëndë.