Ushtria e Kosovës është përforcuar me një armë tepër të fuqishme. Bëhet fjalë për dronë Bayraktar TB-2 të blerë nga Turqia, që tashmë kanë mbërritur dhe janë pjesë e arsenalit të FSK-së.
“Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tani është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti shtoi se bashkë me Komandantin e FSK-së gjeneralin Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuan oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve. Bayraktar TB2 është një mjet ajror luftarak pa pilot me qëndrueshmëri të gjatë në lartësi mesatare, i aftë për operacione fluturimi të kontrolluara nga distanca ose autonome. Droni ka një gjatësi prej 6.5 metrash, ndërsa hapësira e krahëve shkon në 12 metra. Fluturimin e parë e ka kryer në vitin 2014, ndërsa është konfirmuar efikasiteti i lartë në luftime. Vlerësohet se çmimi për një dron Bayraktar TB2 të shkojë në 5 milionë dollarë. Ndërsa qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur ndonjë shifër për blerjen e tyre.
Më pak se 500 dronë Bayraktar janë krijuar deri më tani, ndërsa edhe ushtria shqiptare ka blerë armën e fuqishme nga Turqia. Edhe Serbia kishte bërë një porosi për blerjen e disa dronëve, por presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi prishjen e kontratës me Ankaranë, si shenjë proteste për armatimet e furnizuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përdoruesi më aktiv i dronit mbetet Ukraina, që ka arritur të marrë rezultate të shkëlqyera në përballjen me ushtrinë e Rusisë. Madje ushtarët i kanë thurur dhe një këngë “Bayraktar-it”, që përkthehet në shqip, droni “Flamurtar”.