Avokat Spartak Ngjela ka shpjeguar arsyet se përse Struktura e Posaçme Antikorrupsion u vonua për të paraqitur në Kuvend kërkesën për arrestim të ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.
Duke folur në emisionin “Publikisht” në RTSH1, Ngjela ka theksuar se vonesa tregon se janë gjetur provat e sakta ndaj Arben Ahmetajt, pasi sipas tij, një ish-zëvendëskryeministër nuk mund të arrestohet vetëm duke pasur dyshime.
“Duhet të kemi parasysh një gjë; me aq sa kam parë unë, çështja është shumë e vështirë juridikisht. Prandaj është vonuar, edhe arrestet, edhe ndërhyrja e prokurorisë, por siç duket i kanë gjetur provat e sakta.
Sepse nuk mund të merret ish-zëvendëskryeministri për dyshim, as me indicia sepse nuk ka sens të arrestohet vetëm për indicie. Kështu ecën ata.
E thërritën në SPAK 6 orë, edhe vazhduan. Me anë të kësaj kuptoj që i kanë arritur provat dhe do të shikojmë një ngjarje e cila mund të bëhet shkak për daljen e ngjarjeve të tjera të këtij lloji”, është shprehur Ngjela.
Ngjela vuri në dukje se edhe kryeministri është i përfshirë në afera korruptive, pasi sipas tij, nëse kreu i qeverisë nuk është i korruptuar nuk ka se si të ketë korrupsion në nivelet e mëposhtme të kabinetit.
“Korrupsioni këtu ka qenë fenomen. Ndoshta vazhdon edhe të jetë. Nuk është rast është raport. Por nëse do të ketë goditje të rënda në nivelet e korrupsionit atëherë do të ndalojë korrupsioni.
E di pse e them këtë sepse po të mos jetë kryeministri në korrupsion një qeveri nuk mund të jetë e korruptuar. Ose nëse ka një kryeministër pa vlerë fare që nuk kupton asgjë. Por si rregull kryeministri është përgjegjësi për korrupsionin”, theksoi Ngjela.