Ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së dhe ish-kongresmeni amerikan, Eliot Engel është shprehur i shqetësuar për trajtimin që po i bën Departamenti i Shtetit, mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Si ish-kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, kam ndjekur nga afër politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit dhe kam qenë i kënaqur nga mbështetja e Ëashingtonit për demokracinë, sundimin e ligjit dhe përpjekjet për anti-korrupsion atje. Por, megjithëse në përgjithësi mbështes atë që po bën administrata e Presidentit Joe Biden brenda dhe jashtë vendit, kam shqetësime për trajtimin e mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Departamenti i Shtetit”, shkruan Engel në një artikull për Foreign Policy.
Eliot Engel thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur qëndrime me dy standarde ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Engelit, Uashingtoni nuk e dënoi Serbinë dhe as presidentin Aleksandër Vuçiç për presionin ndaj serbëve të Kosovës për të bojkotuar zgjedhjet.
“A e dënoi Uashingtoni presidentin serb Aleksandër Vuçiç për presionin ndaj serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet? Jo. A e dënoi ajo grupin e vogël të serbëve që sulmuan misionin e NATO-s në Kosovë, duke plagosur 30 paqeruajtës? Mezi dënoi dhunën por jo autorët. A e dënoi Serbinë për nxitjen e qytetarëve serbë etnikë të veriut të Kosovës që të refuzojë në mënyrë agresive përdorimin e targave të vendit ku ata jetojnë? Jo. A i ka dënuar ajo veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore, të cilat, sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përbëjnë “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”? Përsëri, mezi, nëse fare”, shkruan Engel.