Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti sot Ambasadorin e Kosovës, Nait Hasani, me rastin e fillimit të misionit të tij në Shqipëri.
Ministri Cakaj e uroi Ambasadorin Hasani për fillimin e detyrës së re dhe shumë të rëndësishme, si dhe shprehu nevojën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.
“Një takim shumë i hapur e përmbajtësor me Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Nait Hasani! Nënvizuam bashkarisht nevojën për krijimin e një momentumi të ri bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë! Thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në drejtim të krijimit të një hapësire të unifikuar tregtare dhe një bashkësie të vetme doganore është e një rëndësie të posaçme strategjike dhe pragmatike. Do të punojmë ngushtësisht për të ngritur bashkëpunimin e dy shteteve që i përkasin një kombi në nivele krejtësisht të reja,” shprehet Cakaj.
Gjatë këtij takimi u theksua veçanërisht nevoja që Republika e Shqipërisë dhe Kosovës të veprojnë njëzëri për adresimin e krimeve të luftës, projekteve të spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë!
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton edhe adresimin e krimeve sistematike të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Si mbështetëse e pakushtëzuar e Republikës së Kosovës, Shqipëria nënvizon edhe domosdoshmërinë e parashtrimit të çështjes së dëmshpërblimeve të luftës nga ana e Serbisë. Ky proces duhet të përmbyllet me njohjen përfundimtare të Republikës së Kosovës nga Serbia si parakusht i drejtësisë historike dhe përparimit të rajonit,” deklaron Cakaj.
Një tjetër pikë diskutimi ishte dhe nevoja e bashkërendimit të veprimeve politike kundër përpjekjeve të Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Shqipëria do të intensifikojë angazhimin për mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e mëtejmë të saj në arenën ndërkombëtare! Puna e përbashkët ndër-shtetërore duhet të zhvillohet nën dritën e idealeve më larta kombëtare,” shprehet ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj./ATSH/