Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka deklaruar se draftet e Miroslav Lajçakut janë të njëanshme dhe u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë.
“Tema e parë për të cilën kemi diskutuar është plani i sekuencimit. Ne kemi brenga me draftet e deritanishme që Lajçaku u ka dërguar palëve tona.
Ne mendojmë që ai plan është selektiv pasi le anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike dhe në mënyrë të njëanshme u kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes”, është shprehur Bislimi.
Më herët gjatë ditës së sotme, Lajçak u takua edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç.
Nga ana tjetër, Bislimi është shprehur se ndërmjetësuesi i këtij procesi, Miroslav Lajçak, ka vendosur që të mos kishte takim trepalësh në këtë moment.
“Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajizuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim”, ka thënë ai.
Me Marrëveshjen Bazë, Bislimi i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në shkurt të këtij viti, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Dy vendet më pas janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa tensionet e fundit në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.