Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Durrës, Nënkomsiar Kastriot Karafili është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor për performancë të dobët gjatë kryerjes së detyrës.
Referuar njoftimit zyrtar të shpërndarë nga vetë institucioni, thuhet se nënkomisari nuk ka përmbushur objektivat në kuadër të luftës për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës dhe trafikut të automjeteve.
Kjo është një nga lëvizjet e shumta që janë bërë në policinë e Shtetit pas ardhjes së Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme, i cili është shprehur se do të ketë zero tolerancë për këdo që nuk bën punën.
“Ditën e sotme është pezulluar nga detyra, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Durrës, Nënkomsiar K. K.
Shefi i Stacionit është pezulluar nga detyra, për mospërmbushje të detyrave funksionale dhe të përgjegjësive, për mungesë të treguesve të punës në kuadër të luftës për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës dhe trafikut të automjeteve.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për performancë të dobët gjatë kryerjes së detyrës, si dhe për moszbatim të procedurave standarde të punës.
Ndërkohë, nga ana e Policisë së Shtetit kërkohet rritja e nivelit dhe e standardeve për shërbimin ndaj qytetareve dhe rritja e treguesve të punës në luftën ndaj paligjshmërive dhe krimit”.
Njoftimi i Policisë