Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka bërë të ditur se do të mbledhë më 27 korrik Këshillin Kombëtar teksa 7 deputetë kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve për kreun e kësaj force politike.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar do të mbahet sot, më 27 Korrik 2023, ora 19.00.
Gazment Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Ndërkaq, bëhet e ditur se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të zhvillohet online dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar.
Më herët ditën e sotme, në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet e 29 korrikut për kreun e Partisë Demokratike u zhvillua mbledhja e Komisionit Zgjedhor.
Pas mbledhjes së këtij komisioni, Jemin Gjana ka folur për mediat mbi situatën e shumë debatuar në radhët e Partisë Demokratike që lidhet me vulën e PD-së.
Sipas Gjanës, vula qëndron në zyrë protokolli dhe në arkiv, dhe nuk e mban Sekretari i Përgjithshëm.
“Sa për vulën, më vjen keq por unë nuk mendoj se vlen për audiencën, për publikun. Vula e PD si vula e çdo institucioni publik, ka një zyrë protokolli dhe arkive. Vula në dijeninë time ka qëndruar në zyrën e protokollit. Se mban as Sekretari i Përgjithshëm, as kryetari. Rri në protokollin e institucionit. E dini pse e morëm vendimin, sepse po vinte momenti për zgjedhjen dhe rezultoi që s’kishim më vulë dhe natyrisht do e krijonim. Me duket e ulët ta marrësh vulën në xhep. Më vjen keq që Bardhi ka shkuar në këtë veprim që thotë se vula është këtu. Ne po prodhojmë një vulë tjetër”, u shpreh Gjana.
Sa i përket listës së anëtarësisë, Gjana theksoi se në të gjitha rastet degët PD-së kanë sjellë dhe kanë verifikuar këto lista.
“Në të gjitha rastet degët e PD-së kanë sjellë verifikimin e listave të anëtarësisë. Nuk i kemi bërë ne në Tiranë. Sigurisht ka pasur grupe pune dhe të kryesisë. Në asnjë rast nuk ka pasur që organizohen zgjedhje në parti dhe të mos ngrihen grupe pune me anëtarë të kryesisë qendrore të PD-së, deputetë.
Ata që kanë pranuar të shkojnë. Zgjedhjet janë tërësisht legjitime. Kush pretendon për mungesë legjitimeti, debati nuk është debat rruge por ka institucione brenda partisë dhe jashtë që marrin vendime dhe e çojnë drejtësinë në vend. Kush ka ankesa aty e ka sistemin për tu ankuar”, tha Jemin Gjana.