Një gjykatë në Bruksel shpalli fajtorë gjashtë persona për vrasje me karakter terrorist, më shumë se shtatë vjet pas sulmeve vetëvrasëse me bomba, ku humbën jetën 32 persona në aeroportin e qytetit, si dhe në një stacion metroje në mars të 2016.
Pas një gjyqi të gjatë dhe 19 ditësh diskutime të jurisë, gjykata në Bruksel dha vendimin e saj. Disa nga të akuzuarit në gjyq ishin dënuar tashmë për pjesëmarrje në sulmet terroriste edhe në Paris disa muaj më pare se të arrestoheshin në Belgjikë.
Salah Abdeslam u arrestua disa ditë para shpërthimeve të bombave në Bruksel. Ai u shpall fajtor në Francë vitin e kaluar për sulmet me bomba dhe me armë në Paris në 2015, në të cilat humbën jetën 130 qytetarë.
Gjyqi në Belgjikë, i cili filloi dhjetorin e vitit të kaluar, e ka dënuar atë për vrasje dhe tentativë vrasje edhe në Bruksel.
Një tjetër person nga ata që tani janë shpallur fajtorë për të dy shpërthimet është Mohamed Abrini, i cili u identifikua në CCTV duke ikur nga aeroporti Zaventem kur eksplozivi i tij nuk shpërtheu.
Ai u bë i njohur si “burri me kapele” dhe ishte në mesin e një numri të dyshuarish të arrestuar në Bruksel disa javë më vonë. BBC