Marrë shkas nga të dhënat alarmante që vijnë nga Kombet e Bashkuara për temperaturat globale, qeveria amerikane synon të zbatojë një plan për reduktimin e pasojave nga i nxehti. Presidenti Joe Biden ka caktuar një fond prej 1 miliardë dollarësh për mbjellje të pemëve.
“Sot po shpall hapa shtesë për të ndihmuar shtetet dhe qytetet të përballen me pasojat e të nxehtit ekstrem. Së pari, i kam kërkuar Sekretares së Punës në detyrë Julie Su të lëshojë një alarm për rrezikun e nxehtësisë. Në të thuhet se punëtorët kanë mbrojtje federale ndaj nxehtësisë. Ne duhet t’i mbrojmë punëtorët nga kushtet e rrezikshme dhe do ta bëjmë. Sekretarja e Punës do të punojë me ekipin e saj për të intensifikuar zbatimin e masave, duke rritur inspektimet në industritë me rrezik të lartë si ndërtimi dhe bujqësia”, tha Biden.
“Shërbimi Pyjor i SHBA do të japë më shumë se një miliardë dollarë grante për të ndihmuar qytetet dhe qytezat të mbjellin pemë që në afat të gjatë do të ndihmojnë në zmbrapsjen e nxehtësisë dhe zgjerimin e aksesit në hapësirat e gjelbra, në mënyrë që familjet të kenë një vend ku të shkojnë për t’u freskuar dhe për të sjellë uljen e temperaturës në qytete. Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban po jep miliarda për komunitetet për t’i bërë ndërtesat më efikase dhe për t’i bërë ato më rezistente ndaj nxehtësisë”, shton Biden.