Një zyrtar iranian, përgjegjës për promovimin e vlerave islame, u pezullua nga detyrat e tij pas një videoje që tregonte atë duke bërë seks me një burrë tjetër. Videoja e postuar në internet, thuhet se tregon kreun e Departamentit të Kulturës dhe Udhëzimit Islam në provincën Gilan, Reza Tsaghati. Ai është themeluesi i një qendre kulturore, që ka në fokus devotshmërinë dhe përdorimin e hixhabit.
Autenticiteti i videos, e cila u ngarkua fillimisht në një kanal alternativ Telegram, nuk është verifikuar, raporton BBC. Pas zbulimeve, Tsaghati u largua nga detyra dhe autoritetet po hetojnë rastin.
Në një përpjekje nga qeveria për t’u distancuar nga çështja, Ministri i Kulturës tha se nuk kishte raporte negative për Tsaghatin përpara se të publikohej video-ja. Zyrtarët iranianë fillimisht kishin heshtur, pasi video-ja u shfaq në mediat sociale.
Më në fund, Departamenti i Udhëzimeve Kulturore dhe Islame të Gilanit, lëshoi një deklaratë më 22 korrik, duke përmendur një “gabim të dyshuar nga drejtori i Udhëzimit Islamik” në provincë. Çështja iu referua organeve të drejtësisë “për shqyrtim të kujdesshëm”.
Homoseksualiteti është i paligjshëm në Iran dhe personat LGBTI janë në rrezik ngacmimi, abuzimi dhe madje edhe dhune. Sipas ligjit iranian, i cili bazohet në Sheriatin, marrëdhëniet e të njëjtit seks konsiderohen krime që mbartin dënimin maksimal me vdekje, i cili megjithatë është përdorur rrallë.