Ish-Presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka kërcënuar sërish me përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë. Sipas mediave të huaja, në komentet e tij të fundit, ai tha se Moskës do t’i duhej të përdorte një armë bërthamore nëse kundërofensiva e vazhdueshme e Ukrainës do të ishte e suksesshme.
Medvedev, i cili është nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se Rusia do të duhej të përdorte doktrinën e saj bërthamore në një skenar të tillë.
“Imagjinoni sikur ofensiva, e cila mbështetet nga NATO, të ishte e suksesshme dhe ata të na rrëmbenin një pjesë të tokës. Atëherë ne do të detyroheshim të përdorim një armë bërthamore sipas rregullave të një dekreti të presidentit të Rusisë. Thjesht nuk do të kishte alternativë tjetër. Kështu që armiqtë tanë duhet të luten për [suksesin] e luftëtarëve tanë. Ata po sigurohen që një zjarr bërthamor global të mos ndizet”Ish-Presidenti rus, Dmitry Medvedev
Ai dukej se po i referohej një pjese të doktrinës bërthamore të Rusisë që përcakton se armët bërthamore mund të përdoren si përgjigje ndaj agresionit kundër Rusisë që kërcënon ekzistencën e shtetit. Ukraina aktualisht po përpiqet të rimarrë territorin i cili është pushtuar dhe aneksuar nga Rusia.