Në nder të “Ditës së Diasporës”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organzoi një pritje të veçantë për mërgimtarët në ambientet e “Ballkonit të Hapur të Qeverisë”, të cilin tashmë Kurti e ka kthyer në vend për pritje e takime.
Duke iu uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti njoftoi mërgimtarët e pranishëm mbi progresin demokratik e ekonomik të Kosovës të evidentuar nga të gjitha raportet ndërkombëtarë kredibile. “Për herë të parë, ekonomia e ka kaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës. Punësimi ka qenë zotim dhe prioritet i ynë. Kjo është dëshmi që politika dhe masat e shumta të punësimit po funksionojnë. E javën e kaluar në Kuvend i kemi dhënë fund padrejtësisë ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna gjatë viteve ‘90-ta” tha kryeministri i Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se mërgata ka evoluuar dukshëm vit pas viti duke e zgjeruar përfaqësimin kombëtar. “Mërgata jonë ka evoluuar dukshëm. Nga streha e veprimtarisë së çështjes kombëtare dhe burimi i mbijetesës financiare në kohë të vështira për vendin, ajo vit pas viti po e zgjeron përfaqësimin tonë kombëtar. Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe përfaqësim politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri te ai qendror” tha ai.
Kryeministri Kurti tha se “Mërgata jonë gjithmonë ka qenë e rëndësishme për fatin tonë politik, përpjekjet tona historike e për mirëqenien tonë sociale. Çlirimi, shpallja e pavarësisë dhe krijimi e ndërtimi i shtetit të pavarur të Kosovës nuk ka qenë i mundur dhe as i paramenduar pa mërgatën tonë. Sa më shumë që e zhvillojmë shtetin, aq më shumë na forcohen edhe lidhjet. Një shtet i fortë reflektohet edhe me një mërgatë më të fuqishme dhe anasjelltas” tha ai.
Sipas zotit Kurti “Atë sot e gjejmë në format më të suksesshme në art, në kulturë, në sport, financa, e tash së fundmi edhe përfaqësim politik në shtetet e tyre, nga niveli komunal e deri te ai qendror. Disa prej tyre janë këtu në mesin tonë sonte”.
Kryeministri Kurti vlerësoi rolin e mërgatës duke thënë se ajo ka qënë gjithomë e rëndësishme për fatin politik, për mirëqenien sociale, dhe përpjekjet historike për çlirimin, shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit.
Në këtë pritje, ku të ftuar ishin pjesëtarë e figura të ndryshme nga mërgata, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqatave që veprojnë në mërgatë e përfaqësues të rinj politikë atje, bashkë me kryeministrin ishin të pranishëm edhe ministra e ministre të kabinetit qeveritar dhe zëvendësministra.