Numri i rasteve të reja me virusin SARS-CoV-2 është rritur javët e fundit. Në SHBA, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raporton rritje të rasteve pozitive dhe shtrimeve në spital.
Edhe në Britani, numri i rasteve është rritur, po ashtu edhe shtrimet në spitale dhe numri i të trajtuarve në kujdesin intensiv. Shifrat e reja kanë rritur frikën e infektimit, duke ndikuar në rritjen me 30% të shitjes së testeve të Covid-it.
Në Greqinë fqinje ka një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja me Covid. Sipas buletinit të Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, të cilit i referohet Kathimerini, për periudhën 24-30 korrik, numri i rasteve të konfirmuara me SARS-CoV-2 është rritur në krahasim me javën e kaluar.
Javën e kaluar në spital janë shtruar 321 pacientë pozitivë e Covid, një rritje kjo 41% më shumë krahasuar me mesataren e pranimeve javore gjatë katër javëve të fundit.
Megjithëse vihet re një rënie e numrit të pacientëve që përfundojnë në intubim, aktualisht janë 16 raste të tilla në spitalet greke.
Numri i fataliteteve ka arritur në 24. Mosha mesatare e tyre ishte 87.5 vjeç.
Mostrat javore të ngarkesave virale në ujërat e zeza urbane treguan një rritje të SARS-CoV-2 në tetë nga 10 rajonet e kontrolluara.
Ekspertët e lidhin rritjen e rasteve të reja me shtimin e udhëtimeve dhe turmat.