Kryediplomati kinez Wang Yi në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Pekini nuk do të mbajë anë sa i përket luftës në Ukrainë.
Telefonata mes dyshes Yi-Lavrov erdhi një ditë pasi delegacion kinez mori pjesë në bisedimet ndërkombëtare për përfundimin e konfliktit që përfshinte Kievin, por jo Moskën.
Wang i theksoi ministrit Lavrov se Kina dhe Rusia janë miq dhe partnerë të mirë e të besueshëm.
“Për krizën e Ukrainës, Kina do të mbajë një pozicion të pavarur dhe të paanshëm, do të tingëllojë një zë objektiv dhe racional, do të promovojë në mënyrë aktive bisedimet e paqes dhe do të përpiqet të kërkojë një zgjidhje politike në çdo rast ndërkombëtar shumëpalësh”, ka thënë Wang, raporton CNN.
Nga ana e tij, Lavrov vlerësoi rolin konstruktiv të luajtur nga Kina drejt një zgjidhjeje politike të krizës së Ukrainës.
Thirrja pasoi bisedimet dy-ditore të organizuara nga Arabia Saudite, ku rreth 40 vende, përfshirë aleatët kryesorë të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, India dhe një numër vendesh të Lindjes së Mesme, u takuan për të diskutuar zgjidhjen e konfliktit, gati 18 muaj që nga fillimi i pushtimit të Moskës.
Grupi ra dakord mbi rëndësinë e dialogut ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që do të hapë rrugën për paqen.