Ish-kreu i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal është në bisedime për t’u deklaruar fajtor për akuzat në lidhje me punën që ai dyshohet se ka bërë për një oligark rus të sanksionuar pas largimit nga qeveria, shkruan CNN.
Charles McGonigal u akuzua në fillim të këtij viti për akuza, duke përfshirë shkeljen e sanksioneve të SHBA-së, komplotin dhe pastrimin e parave për punën në vitin 2021 me oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili u sanksionua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA.
Në të njëjtën ditë, McGonigal u akuzua për një çështje të veçantë në Uashington për fshehjen e 225,000 dollarëve që dyshohet se i kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.
Lidhur me çështjen e Shqipërisë, javën e kaluar në një seancë gjyqësore në Uashington, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, i tha gjyqtarit që mbikëqyr atë çështje se kishte një “shans të mirë që çështja do të zgjidhej” pa pasur nevojë të shkonte në gjyq.
Gjykatësja Jennifer Reardon, e cila është duke mbikëqyrur çështjen, publikoi një urdhër të hënën duke treguar se ajo ishte informuar se McGonigal “mund të dëshirojë të ndryshojë deklaratën e fajësisë”. McGonigal, i cili është një nga ish-zyrtarët më të lartë të FBI-së që akuzohet për një krim, është deklaruar i pafajshëm për të dyja aktakuzat.