Tri aktakuza, 78 akuza, tre gjykime.
Si do të mbrohet Donald Trump në gjykatë dhe cili nga tre rastet do të jetë më i vështirë për t’u fituar?
Ish-presidenti akuzohet për një sërë krimesh: Komploti për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020; Minimi i të drejtës së amerikanëve për të votuar; Mbajtja e dokumenteve të klasifikuara në pronat e tij; Pagesa kundrejt një aktoreje të filmave për të rritur duke kërkuar heshtjen e saj.
Trump përballet me gati 80 akuza në tre shtete dhe ndoshta më shumë nëse, siç pritej, ai akuzohet për ndërhyrje në zgjedhje në Xhorxhia.
Ne e kemi parë rastin e prokurorisë siç parashtrohet në aktakuza, por si Trump – i cili mohon çdo akuzë, do të mbrohet në gjyqet vitin e ardhshëm?
“Ndoshta është rasti më i fortë ligjërisht, absolutisht hermetik ”, tha Anthony Michael Kries, profesor i ligjit zgjedhor në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias.
Departamenti i Drejtësisë e ka akuzuar Trumpin për marrjen e paligjshme të materialeve të klasifikuara të Shtëpisë së Bardhë pasi ai la detyrën, duke i ruajtur ato në mënyrë të parregullt në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe më pas duke penguar përpjekjet e përsëritura të qeverisë për të tërhequr dokumentet.
Ligji amerikan kërkon që presidentët në largim të dorëzojnë materiale të tilla në Arkivin Kombëtar. Ekziston një ligj i provuar dhe i testuar që rregullon posedimin e materialit të klasifikuar dhe shumë shembuj të praktikës gjyqësore për t’u përdorur.
Ish-zyrtarë të tjerë, si ish-zëvendëspresidenti Mike Pence, i kanë kthyer këto dokumente sapo i kanë gjetur. Aktakuza paraqet një mori provash kundër Trumpit, duke përfshirë fotot e kutive në shtëpinë e tij në Florida.
Prokurorët madje morën audio të zotit Trump duke folur për një dokument të klasifikuar dhe duke pranuar se nuk mund ta deklasifikonte materialin tani që kishte lënë detyrën. Trump ka pohuar në mënyrë të pasaktë në publik se ai mund të kishte deklasifikuar dokumentet.
Ish-presidenti deklaroi se ai është i pafajshëm në gjyqin ndaj tij në Miami në qershor dhe e quajti prokurorinë të motivuar politikisht. Trump është njëlloj i dashur dhe i urryer në Floridën jugore dhe ekspertët ligjorë atje thonë se zgjedhja e një jurie të paanshme mund të jetë sfiduese.
Rasti i parë me të cilin Trump u përball këtë vit mund të jetë më i drejtpërdrejtë për ta fituar.
Në mars, prokurorët e Nju Jorkut lëshuan 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit. Këto kanë të bëjnë me një pagesë prej 130 mijë dollarësh kundrejt aktores së filmave për të rritur në mënyrë që ajo të heshtte për aferën seksuale që ka pasur me Trumpin.
Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, pretendon se Trump e ka kryer pagesën përmes avokatit të tij, Michael Cohen, dhe ka mashtruar duke i regjistruar pagesat si shpenzime ligjore.
Çfarë ndodhi mes Stormy Daniels dhe Trump?
Zakonisht, falsifikimi i të dhënave të biznesit do të përbënte vetëm një kundërvajtje. Por nëse ato falsifikohen për të kryer një krim tjetër, kjo mund të përbënte edhe krim. Bragg nuk ka nevojë domosdoshmërisht të provojë se Trump ka kryer një të tillë për t’u siguruar se këtu kemi të bëjmë me një krim.
Ai pretendoi gjatë një konference për shtyp në prill se Trump bëri pagesat “për të mbuluar krimet në lidhje me zgjedhjet e 2016”-s dhe kreu shkelje tatimore.
Ekipi i Trumpit ka bërë lëvizje për të ndryshuar juridiksionin nga shteti në gjykatën federale dhe mund të përpiqet të rrëzojë akuzat. Ata kanë argumentuar më parë se Trump ka bërë pagesat për të shpëtuar familjen e tij nga turpi, jo për të kryer një krim.
Javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë e akuzoi zotin Trump për katër akuza në lidhje me mashtrimin zgjedhor.
Është një rast i paprecedentë, që përfshin një president që dyshohet se përpiqet të përdorë levat e qeverisë për të pasur edhe më shumë pushtet. Ai akuzohet se u ka bërë presion zyrtarëve zgjedhorë dhe zëvendëspresidentit për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai i humbi ndaj Joe Biden.
Gjithashtu, Trump akuzohet për përhapjen e gjerë të dezinformatave se zgjedhjet ishin vjedhur, gjë që përfundimisht çoi në trazirat e Kapitolit të SHBA.
Disa ekspertë ligjorë mendojnë se litania e provave, juridiksioni jodashamirës i Uashington DC dhe mënyra se si Prokurori i Posaçëm, Jack Smith e ndërtoi çështjen, të gjitha nënkuptojnë se kjo është një betejë e vështirë për zotin Trump.
Një faktor vendimtar kundër të cilit mund të luftojë Trump është qëllimet që ai ka pasur, pavarësisht nëse ai në të vërtetë kishte planifikuar t’i kryente këto krime.
Prokurorët do të duhet të tregojnë se Trump i kreu këto krime me vetëdije. Ky është çelësi, shton zoti Kreis. “A besoi sinqerisht Donald Trump dhe a e kuptoi sinqerisht se zgjedhjet ishin të rreme dhe se ai kishte fituar në të vërtetë?”, është shprehur Kreis.
Pse këto akuza janë më të rëndat për Donald Trump
Avokati i tij John Lauro tha se ish-presidenti besonte se ai fitoi zgjedhjet dhe prokuroria nuk do të jetë në gjendje të provojë të kundërtën.
Klienti i tij po sulmohej për ushtrimin e të drejtës së tij të Amendamentit të Parë për fjalën e lirë.
Megjithatë, ka një shans të madh që zoti Trump të mos mund të mbështetet në argumentin e fjalës së lirë.
Disa nga ato që ai tha mund të mbrohen nga Amendamenti i Parë, tha Aziz Huq i Shkollës Juridike të Universitetit të Çikagos.
Por, shtoi ai, “fjalimi që përdoret për të lehtësuar krimin pothuajse nuk mbulohet kurrë”.
Smith theksoi këtë pikë në aktakuzë, se ndërsa Trump mund të thotë lirisht atë që i pëlqente për rezultatin e zgjedhjeve, por ai nuk mund ta përdorte atë besim për të përmbysur rezultatin.
Por jo të gjithë besojnë se rasti do të rezultojë në një dënim. Sarah Isgur, komentatore ligjore në uebsajtin konservator “The Despatch”, i tha Economist se statutet sipas të cilave u sollën këto akuza kërkojnë prova.
Pavarësisht se si të dyja palët e argumentojnë çështjen, ata duhet të bindin jurinë. Dhe është ky variabël që ekspertët ligjorë thonë se është më i vështirë për t’u parashikuar.
Katër juridiksione të ndryshme janë në lojë – Uashington DC, Florida, Manhattan dhe potencialisht Xhorxhia – do të rezultojnë në katër dinamika shumë të ndryshme të jurisë.
“Kjo sigurisht që do ta bëjë më të lehtë çështjen e Trump,” thotë zoti Kreis. “Ai nuk ka nevojë të bindë 12 njerëz… ata kanë nevojë vetëm për një person”, transmeton BBC.
Variabli tjetër i madh është vetë zoti Trump. Në teori ai mund të vonojë çdo dënim me anë të apelit, të fitojë presidencën dhe të bëjë presion ndaj Departamentit të Drejtësisë që të heqë dorë nga hetimet. Ose edhe, siç thuhet se ka menduar në të kaluarën, të falë veten kur të jetë në postin e Presidentit.