Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili është emëruar ministër i Mbrojtjes, e ka nisur shumë herët karrierën ushtarake.
Në moshën 19-vjeçare, Maqedonci iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka shërbyer si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në UÇK.
Maqedonci ka përfunduar dy kolegje ushtarake dhe dy programe master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka shërbyer si Kolonel i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ejup Maqedonci lindi më 9 maj 1977 në Prishtinë.
Në vitin 1996 emigroi drejt Zvicrës, ku jetoi rreth dy vite. Pas sulmit në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ejup Maqedonci u kthye në Shqipëri më 18 marsin e atij viti dhe pas stërvitjeve ushtarake hyri në radhët e UÇK-së.
Brenda ushtrisë fitoi edhe nofkën e luftës “Komandant Uki”.
Pas luftës, Ejup Maqedonci ka komanduar për dhjetë vite (1999–2009) Batalionin e Kërkim-Shpëtimit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Maqedonci ka drejtuar dy operacionet në janar dhe në dhjetor të vitit 2010, në ndihmë zonave të përmbytura të Shkodrës, pas të cilave është dekoruar nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Nga viti 2014 deri më 2018, Maqedonci ka qenë shef i Shtabit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë.
Maqedonci është Qytetar Nderi i Qytetit të Leavenworthit në Amerikë, ndërsa ka kryer dhjetëra trajnime ushtarake brenda dhe jashtë vendit si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani të Madhe, në Gjermani, në Japoni etj.
Ai ka shërbyer 25 vite në ushtrinë e Kosovës, prej së cilës është tërhequr më 10 korrik 2023 me gradën e kolonelit.