Investitorët më të mëdhenj të huaj në Mal të Zi për periudhën janar-maj të këtij viti janë shtetasit rusë të cilët kanë investuar 52.5 milionë euro.
Më së shumti para kanë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme, 28,9 milionë euro, 12,3 milionë euro në kompani dhe banka në Mal të Zi, dhe 13,2 milionë euro borxhe ndër kompanitë – kredi për kompanitë e tyre në Mal të Zi.
Këtë e tregojnë të dhënat e reja të Bankës Qendrore për investimet e huaja direkte.
Kjo konfirmon se pavarësisht nga marrëdhëniet e dëmtuara diplomatike mes Malit të Zi dhe Rusisë, për shkak të krizës ukrainase dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, qytetarët rusë ende vijnë në masë të madhe në Mal të Zi dhe sjellin kapitalin e tyre për të investuar. Se është kështu, tregon edhe fakti se Mali i Zi ka lëshuar 21,5 mijë leje pune për të huajt për periudhën janar-qershor të këtij viti, nga të cilat 7,412 ose 34,3 për qind e numrit të përgjithshëm i referohen shtetasve të Rusisë.
Investitorët e dytë më të vlefshëm janë qytetarët dhe kompanitë nga Serbia të cilët kanë investuar 48 milionë euro, nga të cilat më së shumti 26.1 milionë euro kanë qenë në blerjen e patundshmërive, 10.5 milionë euro kredi për kompanitë e tyre në Mal të Zi dhe 8.2 milionë në investime në kompani dhe bankat e regjistruara në Mal të Zi. Në të njëjtën periudhë, investitorët nga ky shtet fqinj kanë tërhequr 25.3 milionë euro nga Mali i Zi, pjesa më e madhe e të cilave ishte 12.4 milionë euro përmes shitjes së patundshmërive, raporton vijesti.me.
Investitorët nga Zvicra janë në vendin e tretë, pasi kanë investuar 39 milionë euro në Mal të Zi gjatë pesë muajve të fundit. Në vendin e katërt për nga vlera e investimeve të huaja direkte janë qytetarët dhe kompanitë nga Turqia me një investim prej 32.1 milionë euro.
Vetëm në vendin e pestë për nga sasia e investimeve të huaja është një vend anëtar i Bashkimit Evropian, përkatësisht Gjermania me 28.3 milionë euro.
Pas këtyre pesëshes së madhe për sa i përket investimeve në Mal të Zi, pasojnë Qiproja me 24 milionë euro, Emiratet e Bashkuara Arabe me 19,8 milionë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 18,9 milionë euro dhe Austria me 13,5 milionë euro.
Në vendin e dhjetë janë investimet nga Ukraina prej 9.4 milionë, nga të cilat 8.6 milionë janë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Për këta gjashtë muaj janë regjistruar investime nga 45 shtete apo territore të renditura dhe më së paku para kanë ardhur nga Jordania 308 mijë euro, Sllovakia 315 mijë euro, Monako 362 mijë euro, Moldavia 365 mijë, Malajzia 400 mijë, Bullgaria 408 mijë…