Një zgjidhje paqësore për konfliktin në Ukrainë është e mundur vetëm nëse Kievi ndal “armiqësitë dhe sulmet terroriste”, ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm rus Mikhail Galuzin të enjten për median ruse TASS.
“Ne vazhdojmë të mbajmë qëndrimin parimor se një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe e drejtë është e mundur vetëm nëse regjimi i Kievit ndal armiqësitë dhe sulmet terroriste, ndërsa sponsorët e tij perëndimorë ndalojnë furnizimin e ushtrisë ukrainase me armë,” tha Galuzin.
Sipas diplomatit rus, “themelet origjinale të sovranitetit të Ukrainës duhet të konfirmohen në mënyrë që të arrihet zgjidhja” e konfliktit të armatosur që ka nisur prej muajit shkurt të vitit të kaluar.
“Duhet të njihen realitetet e reja territoriale, çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës dhe të drejtat e qytetarëve të saj rusishtfolës dhe pakicave kombëtare duhet të sigurohen në përputhje me kërkesat e ligjit ndërkombëtar”, theksoi diplomati rus.