Që nga fillimi i vitit, në Bashkimin Europian janë përpjekur të hyjnë ilegalisht rreth 176 mijë emigrantë deri në muajin korrik.
Frontex, Agjencia e BE-së për Mbrojtjen Kufitare, ka njoftuar se vetëm përmes itinerarit qendror të Mesdheut drejt Italisë dhe Maltës kanë mbërritur ilegalisht rreth 90 mijë persona në Europë.
Shifrat janë dy herë më të larta krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Frontex, për këtë po ndikon gara e ashpër mes kontrabandistëve si dhe ulja e çmimeve për kontrabandimin e njerëzve në Libi dhe në Tunizi.
Krahasuar me shtatë muajt e parë të vitit të kaluar, sivjet numri i mbërritjeve ilegale në BE është rritur me 13 për qind, sipas Frontex.
Vetëm në korrik janë regjistruar 42.700 hyrje ilegale, 19 për qind më shumë se në korrikun e vitit 2022 dhe më shumë se asnjëherë që nga marsi i vitit 2016.
Rritja e numrit të emigrantëve ilegalë vjen kryesisht përmes kalimeve në det drejt Italisë dhe Maltës. Në itineraret e tjera të migracionit raportohet rënie e fluksit.
Kalimet e kufirit përmes itinerarit të Ballkanit, sipas Frontex, janë ulur me një të katërtën, në rreth 52.200 raste këtë vit.
Në itinerarin e Mesdheut lindor përmes Turqisë janë regjistruar 17.100 emigrantë, 29 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe nga itinerari i Afrikës Perëndimore ka pasur rënie të numrit të emigrantëve ilegalë (7.700), nga itinerari i Mesdheut Perëndimor (6.800) dhe nga Bjellorusia (2.800). /DW