Draft-raporti i skriningut i Komisionit Evropian, kushtuar klastetrit që përfshin gjyqësorin në vend, realisht pasqyron gjendjen në shoqëri, komenton analisti Marko Troshanovski.
Sipas tij, për dallim nga raportet e kaluara të Brukselit, ky ka një notë më të fortë kritike për situatat dhe për ngecjen në proceset reformuese. Në analizën e Raportit, Troshanovski vlerëson se fokusi është joefikasiteti në gjyqësor dhe vjetërsimi i lëndëve të korrupsionit të lartë, e për këtë situatë më së shumti është vënë në dukje puna e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.
“Më në fund, si opinion, si opinion politik, duhet të kuptojmë se këto gjëra duhet t’i bëjmë për hir të vetvetes. Nuk na nevojitet skrining raport evropian për të konstatuar se si gjykatat nuk punojnë ose se si Këshilli Gjyqësor është shndërruar në grotesk, por t’i përmirësojmë realisht për hir të vetvetes”, deklaroi Marko Troshanovski – Instituti për Demokraci.
Kreu i Institutit për Demokraci shton se Raporti mirëpret punën e Komisionit Antikorrupsionit dhe të Entit Shtetëror të Revizionit. Megjithatë, mungon vullneti politik për zbatimin e rekomandimeve dhe masave të tyre nga Strategjia kombëtare për luftimin e korrupsionit dhe procedimin e kallëzimeve të tyre nga Prokuroria dhe MPB-ja.
“Vetë Raporti e bën të ditu5r këtë shumë qartë dhe thotë “mungesë e vullnetit politik”. Kur shikoni se 10%, resektivisht një në dhjetë masa keni ndërmarrë për të cilat jeni angazhuar, kjo tregon se juve nuk ju intereson fare problemi më i madh i vendit”, shtoi Marko Troshanovski – Instituti për Demokraci.
Troshanovski shton se në të ardhmen dosja e reformave të kryera për vendin në këtë klaster do të ishte shumë i dobët nëse vazhdon ritmi aktual dhe nëse, siç thotë ai, vazhdihet të votohet për partitë që nuk bëjnë asgjë në këtë pjesë dhe nëse nuk ofrohen alternativa të tjera politike. Megjithatë, shton Troshanovski, ky klaster mund të jetë problem gjatë bisedimeve, por jo edhe nëse BE-ja mbyll një sy si në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë.
Ndryshe, vlerësimi i përgjithshëm i Brukselit në Raportin që është publikuar ditë më parë është se Maqedonia ka nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, ndërsa rregullativa ligjore në këtë fushë është pjesërisht e harmonizuar me atë evropiane. /Alsat.mk