Pesë turistë francezë dhe një zviceran janë arrestuar të mërkurën pasi dyshohen se përdhunuan një 18-vjeçare britanike në ishullin e Mallorcas, ka thënë policia e Spanjës.
Përdhunimi dyshohet se ndodhi të hënën në Magaluf, një vend turistik dhe shumë i popullarizuar për të rinjtë. Një gjykatë ka thënë se ka video nga dhunimi në telefonin e një prej të dyshuarve, raportoi AP.
Policia ka treguar se viktima e dyshuar ka deklaruar se kishte takuar përdhunuesit e dyshuar të hënën dhe më vonë kishte shkuar në një prej dhomave të hotelit të një prej të dyshuarve, ku ishte sulmuar seksualisht nga të gjashtit.
Policia u shfaq në hotel pasi stafi i hotelit e telefonoi kur e gjeti vajzën duke qarë. Policia i arrestoi menjëherë.
Ky është rasti i dytë i një dhunimi të dyshuar në grup nga turistët në Mallorca javët e fundit. Në korrik, policia arrestoi gjashtë gjermanë me dyshimin se dhunuan një 18-vjeçare gjermane në një hotel.