Ka shkuar në shtatë numri i policëve serbë të dorëhequr nga Policia e Koosvës.
Presidentja Vjosa Osmani ka fajësuar autoritetet e Beogradit për dorëheqjet e policëve, duke e konsideruar vendimin si rezultat të kërcënimeve nga strukturat e Serbisë.
Në fjalën e saj në konferencën e përbashkët për media me kryetarin e komunës së Klinës, Zenun Elezaj, presidentja Osmani i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë për shkeljen e marrëveshjes së Brukselit dhe standardeve ndërkombëtare.
“Momenti i fundit kur i numërova, numri i dorëheqjeve kishte shkuar deri në 7. Sipas hetimeve të institucioneve tona kjo ka ardhur si pasojë e frikësimit e shantazhimit ndaj tyre nga Serbia. Ky shtet fatkeqësisht po vazhdon me agresion të hapur ndaj Kosovës. Po vazhdojnë që me institucionet e veta ilegale në Kosovë t’i bëjnë shantazh qytetarëve serbë, të cilët janë pro integrimit. Veprimet e tilla janë shkelje flagrante të marrëveshjeve të parapara, pres nga BE që të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljet e marrëveshjes së Brukselit, por edhe për shkeljet e standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Osmani.