Zjarrfikësit në Turqi janë duke luftuar me një zjarr masiv në provincën veriperëndimore të Çanakalesë Këto zjarre nisën një ditë më parë, por u përhapën për shkak të temperaturave të larta, të ushqyera nga erërat e forta në rajon.
Të ndihmuar nga helikopterë, ekipet zjarrfikëse luftuan gjatë gjithë natës me flakët që gllabëruan edhe disa shtëpi. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikayam deklaroi se mbi 1.200 persona nga nëntë fshatra u evakuuan, ndërsa 48 vetë patën nevojë për trajtim mjekësor.
Me qëllimin lejimin e helikopterëve për të hedhur ujë për të shuar flakët, trafiku detar në ngushticën e Dardaneleve, ngushticë që lidh detin Egje me Detin e Zi, u pezullua sërish.
Vetëm një ditë më parë, 18 njerëz u gjetën të vdekur pranë kufirit grek më Turqinë në një zonë malore në veri të Greqisë, e cila është përfshirë nga zjarret në katër ditët e fundit. Dyshohet se të vdekurit ishin emigrantë.
Ndërkohë, zjarret që shpërthyen pranë një resorti turistik mjaft popullor në Turqinë jugperëndimore janë vënë në masë të madhe nën kontroll, e pohuar kjo nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Flakët shpërthyen një ditë më parë në rajonin Bördübet, pranë Marmaris në bregun e Detit Egje dhe u përhapën me shpejtësi, duke shkrumbuar disa pjesë të pyjeve me pisha aty pranë e duke detyruar me qindra njerëz të braktisnin shtëpitë e tyre.
Gjatë një bisede me gazetarët pas inspektimi të zonës, Erdogan tha se rreth 4,000 hektarë toke u prekën nga zjarri. Përpjekjet për ripyllëzim do të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, tha ai. Ekspertët thonë se moti ekstrem po nxitet pjesërisht nga ndryshimet klimatike.