Numri i viktimave nga shpërthimet në një pikë karburantesh në periferi të Bukureshtit është rritur në dy.
Nga shpërthimet më 26 gusht, që shkaktuan zjarr në Rumani, u lënduan edhe 57 persona, shkruan REL.
Në mesin e të lënduarve, shumica prej të cilëve kanë djegie të rënda, janë edhe 39 zjarrfikës dhe katër zyrtarë policorë, tha kreu i departamentit të emergjencave, Raed Arafat.
Shtatë pacientë, që kanë pësuar djegie të rënda, janë transferuar në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian për trajtim mjekësor, shtoi ai. Një avion ushtarak ka transportuar dy pacientë në Milano të Italisë.
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, shkroi në Facebook se “jam thellësisht i mërzitur” pas shpërthimeve, ngjarje të cilën ai e përshkroi si “tragjedi”.
Arafat tha se pika e karburantit, ku shitej gaz i lëngshëm për pajisjet shtëpiake dhe disa automjete, kishte punuar pa licencë në Krevedia, një qytet që gjendet rreth 20 kilometra në verilindje të Bukureshtit.