Qeveria kolumbiane dhe grupi më i madh disident i ish-grupit rebel të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) kanë rënë dakord të rishpallin një armëpushim që u pezullua në maj.
Armëpushimi – data se kur do të vihet në fuqi nuk u specifikua – “synon të reduktojë konfrontimet dhe dhunën”. EMC përbëhet nga rebelë që refuzuan të nënshkruajnë marrëveshjen e paqes të vitit 2016 midis qeverisë së asaj kohe dhe grupit rebel me prirje marksiste. Teksti thekson se armëpushimi do të jetë “i përkohshëm” dhe “kombëtar” në natyrë dhe premton nisma për “promovimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në procesin e paqes” dhe “ndërtimin e një klime besimi”.
Delegacionet kanë zhvilluar bisedime që nga e enjtja në malet e prefekturës Kauka (e vendosur në jugperëndim të vendit). Ishte takimi i parë zyrtar midis negociatorëve të qeverisë dhe disidentëve të FARC, të cilët autoritetet thonë se financohen nga trafiku i drogës dhe minierat ilegale. Palët njoftuan në deklaratë për fillimin e afërt të negociatave të paqes, pa specifikuar as kur dhe ku. Sipas tekstit, rolin e garantuesit do ta kenë vendet e tjera, pa përmendur se cilat, OKB-ja, Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), si dhe Këshilli Botëror i Kishave.
Presidenti Petro kërkon t’i japë fund konfliktit të armatosur që është ndezur prej gjashtë dekadash në Kolumbi duke zhvilluar negociata me të gjitha organizatat e armatosura ilegale, veçanërisht me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN).