Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ndodhet në Kazakistan, ku është pritur me një ceremoni zyrtare nga homologu i tij, Kassym-Jomart Tokayev.
Në një prononcim për mediat, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Begaj u shpreh se gjatë këtij takimi kanë biseduar për bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes dy vendeve.
“Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, gjetjen e mundësive të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes reciprok, siç mund të jenë energjia, infrastruktura, bujqësia apo nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve”, është shprehur Begaj.
Ndër të tjera, Begaj bëri me dije se me homologun e tij diskutuan dhe për hapjen e Ambasadës së Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev.
“Një çështje me rëndësi tjetër që u diskutua ishte dhe hapja e një Ambasade të Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev.”, ka thënë presidenti.
Në fokus të vëmendjes gjatë takimeve ishte edhe turizmi.
“Interes tjetër të veçantë pati në drejtim të vendosjes së një linje ajrore të drejtpërdrejtë ndërmjet Kazakistanit dhe Tiranës, e cila do t’i shërbejë turizmit. Kreu i Shtetit i bëri ftesën Presidentit Tokayev për të vizituar Shqipërinë.”, ka thënë Begaj.