Kryeministri Albin Kurti, gjatë një interviste për televizionin polak “TVP World” , tha Greqia është në krye sa i përket mundësisë së njohjes nga pesë shtetet e BE-së. Sipas tij, Kosova po punon fort në planin diplomatik për t’i bindur pesë vendet e mbetura të BE-së që ta njohin Kosovën.
“Kemi punuar fort në aspektin diplomatik, që ato t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është në ballë të këtyre vendeve, e cila është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e tregon edhe statusi i Zyrës sonë në Athinë.” ka theksuar kryeministri Kurti, i cili ka shtuar se Kosova ka aplikuar për pranim në BE dhjetorin e vitit të kaluar dhe përkundër faktit që nuk e njohin pesë vende të BE-së”- ka deklaruar Kurti përgjatë intervistës.
Sipas tij, Kosova me BE-në ka nënshkruar Marrëveshjen kontraktuale të Stabilizim Asociimit dhe që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE është kthyer në politikë të Bashkimit Evropian.
“Ne do të bëhemi pjesë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur dhe mendojmë se procesi i integrimit në BE i shërben vendit tone. E bëjmë për vendin tonë duke plotësuar vlerat, standardet dhe parimet, por në të njëjtën kohë, kemi nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian. Gjithëpërfshirja jonë në BE nuk i shërben vetëm interesit tonë, së mirës sonë, sepse edhe ne duam të kontribuojmë. Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm historik dhe politik për paqen dhe prosperitetin që nga Lufta e Dytë Botërore”,- ka nënvizuar kryeministri Kurti.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për 22 nga 27 vendet e BE-së, për 26 nga 30 vendet e NATO-s dhe ndihmën e 34 vendeve nga 46 në Këshillin e Evropës.