Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kukësit, Emri Vata, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkon që kuksianët të drejtohen nga krimi.
Komentet Vata i bëri gjatë një takimi në Kukës, ku të pranishëm ishin edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL-së, Ilir Meta.
Ai shtoi se modeli i opozitës nuk është një model i riciklueshëm, por një model që vendos qytetarin të parin.
“Jam miku që kur sheh fytyrën e këtij qyteti të bërë pis, nuk mund të rrij pa e pastruar Kukësin tim. Populli kuksian është një pjesë shumë e rëndësishme e Shqipërisë, që meriton të zhvillohet. Kukësi nuk është qytet i varfër, por i vjedhur.
Ne nuk jemi këtu që të jemi një model i riciklueshëm. Do të mundësojmë ujë të pijshëm dhe kanalizime. Mbështetje për agrobiznesin. Lidhja e qytetit me fshatin dhe anasjelltas është në kushte të mjerueshme. Varfëria mbizotëron në të gjitha familjet tona dhe burimi kryesor it ë ardhurave janë remitancat.
Qeveria duan që kuksianët të drejtohen nga hajnat, nga krimi. Ne u ofrojmë të kundërtën, që qytetari të jetë i pari. Nuk jemi këtu për të qenë një model i riciklueshëm. Do të mundësojmë mbështetje për agrobiznesin, në mënyrë që produktet vendase të gjejnë tregun.
Vetëm përmes investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës, të rinjtë kuksianë do të qëndrojnë në tokat e tyre. Është e qartë se vetëm nga forca e kuksianëve, Kuksit mund t’i rikthehet forca dhe dinjiteti që meriton”, u shpreh Vata.