Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield deklaroi sot se angazhimi i Moskës me Korenë e Veriut tregon se sa e dëshpëruar është Rusia.
Në takimin e sotëm Putini sinjalizoi gatishmërinë për të ndihmuar Korenë e Veriut në zhvillimin e programit të saj hapësinor dhe satelitor teksa i bëri Kim Jong Un një turne në vendin e madh të nisjes hapësinore të Rusisë Vostochny përpara bisedimeve për armatimet.
Kur u pyet nga një gazetar nëse Rusia do ta ndihmonte Korenë e Veriut të lëshonte satelitët dhe raketat e veta, Putin u përgjigj: Pikërisht për këtë kemi ardhur këtu.
Ndërkaq, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar Korenë e Veriut se do ta paguajë shtrenjtë nëse arrin një marrëveshje armësh me Rusinë, pasi negociatat po përparojnë midis dy kombeve, transmeton CNN.
“Nëse Pheniani i siguron armë Moskës për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës, nuk do të reflektojë mirë për Korenë e Veriut dhe ata do të paguajnë një çmim për këtë në komunitetin ndërkombëtar”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan në një konferencë shtypi.