Blerja e një televizori me këste mund të bëhet shkak për të humbur shtëpinë.
Kjo është historia e një nëne 66 vjeçare. Ajo ka rritur e vetme tre fëmijë jetim. Në ’97 ajo vjen në Tiranë për të siguruar një jetesë më të mirë për fëmijët e saj.
“Kam punuar ku kam pasur mundësi, me dy turne, me sa fuqi kam patur dhe kam arritur kam marrë një shtëpi me kredi. Edhe sot paguaj kredinë. Në 2016 kam marrë një televizor ‘Fuego’ dhe një pjekëse buke 8 mijë lekë. Unë nuk i mora me lekë në dorë dhe fillova të paguaja me këste tek Intesa San Paolo. U sëmura dhe ika për një kontroll jashtë. Për tre muaj nuk e pagova por kur u ktheva e pagova totalisht dhe gjatë llogaritjes pagova dhe 140 mijë lekë të vjetra më tepër. Unë e quajta të mbyllur0”, u shpreh Prende Niklekaj.
Pavarësisht se detyrimi në të vërtetë ishte shlyer, ajo që është mjaft e rëndë është fakti se zonjës i nxorën banesën në shitje për një borxh të pretenduar që vlente sa një televizor.
“Një ditë të bukur më vjen letra nga përmbarimi që shtëpia jote ka dalë në ankand. Për një televizor ky është kulmi i kulmeve. Dy tre herë më kanë marrë në telefon vajzat e kompanisë së mikrokredisë dhe unë u thashë që e kam mbyllur atë detyrim. U thashë që do i hedh në gjyq se unë e kam mbyllur dhe i kam paguar dhe 140 mijë lekë më tepër. Ç’është ky muhabet të nxjerrësh shtëpinë 60 mijë euro ta marrë për një televizor kjo është e turpshme. Ky është krim i hapur, krim”, u shpreh Prende Niklekaj.