Pasojat e përmbytjeve vdekjeprurëse në Libi janë përshkruar si një katastrofë e paimagjinueshme, duke llogaritur pasojat e saj, nga zyrtari i lartë i OKB-së, Martin Griffiths.
Nga selia e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Griffiths tha se ‘kjo fatkeqësi në fakt është një kujtesë e ndryshimit të klimës dhe pranisë së saj.’
Ndërkohë, sipas të dhënave, disa qindra trupa ndodhen ende nën ndërtesat e shembura në Derna dhe të tjerë trupa dergjen deri në 60 milje larg.
Diçka e tillë ka prodhuar shqetësim, megjithatë, kreu i njësisë së mjekësisë ligjore të Kryqit të Kuq, Pierre Guyomarch thotë se ‘besimi se trupat e vdekur mund të shkaktojnë epidemi nuk mbështetet në prova’.
“Trupat e njerëzve që kanë vdekur pas plagëve të marra në një fatkeqësi natyrore ose konflikt të armatosur pothuajse kurrë nuk paraqesin rrezik për shëndetin e komuniteteve. Ata që i mbijetojnë një ngjarjeje si një fatkeqësi natyrore kanë më shumë gjasa të përhapin sëmundje sesa trupat e vdekur”, thotë ai.
Një tjetër shqetësim i madh tanimë është edhe uji i ndotur. Ministri i Shëndetësisë së Libisë, Othman Abdul Jalil, tregon se shumica e puseve që furnizojnë qytetin me ujë janë mbuluar me baltë, dëmtuar ose kontaminuar.
“Shqetësimi më i madh tani është uji i ndotur… Furnizimi me ujë në qytet varet nga puset nëntokësore. Shumica e puseve janë mbuluar me baltë, janë dëmtuar ose kontaminuar me ujëra të zeza”, thotë Othman.