Presidenti Bajram Begaj, i pranishëm në javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, ka takuar homologen Vjosa Osmani. Begaj ka publikuar një foto nga takimi me Osmanin, duke e shoqëruar me mbishkrimin “bashkë”.
Në krye të një delegacioni zyrtar, kreu i shtetit shqiptar po vijon të qëndrojë në Forumin e Nivelit të lartë politik të OKB. Ai pritet të zhvillojë edhe takime me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (o. Escobar) dhe përfaqësuesin e lartë të BE, Xhosep Borel (o. Josep Borrell). Po ashtu, gjatë javës, Begaj do të zhvillojë edhe takime të tjera bilaterale, sikurse ishte edhe ai me Presidentin e Zvicrës, ndërsa ditën enjte do të mbajë fjalën e tij në Samit.
Kreu i shtetit mbajti sot (19 shtator) fjalën e tij në takimin e nivelit të lartë, që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku theksi u vendos te zhvillimi i qëndrueshëm si “garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e stabiliteti”.