Ministria e Jashtme e Francës ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Përmes një reagimi Franca thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë. “Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një polic dhe dy të tjerë të plagosur. Franca shpreh ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe bën thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, është theksuar në reagim.
Parisi zyrtar ka deklaruar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja mënyrë “për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.
“Rëndësia e këtyre ngjarjeve nënvizon nevojën urgjente që Serbia dhe Kosova të veprojnë me përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe t’i lejojë ata të bëjnë përparim drejt BE-së”, është thënë në reagim.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Katër sulmues mbetën të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Institucionet e Kosovës deklaruan se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.