Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se sulmi i 24 shtatorit nga forcat terroriste serbe në veri të Kosovës, duke lënë të vdekur efektivin Afrim Bunjaku ishte i koordinuar dhe i sofistikuar.
Në një intervistë për Politico-n, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Xhefri Hojvener ka theksuar se sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga grupet serbe kishte për qëllimin destabilizimin e sigurisë në rajon.
“Ne e dimë se ishte e koordinuar dhe e sofistikuar. Sasia e armëve sugjeron se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hojvener (Jeffrey M. Hovenier).
Policia e Kosovës bëri të ditur se një grup prej rreth 30 serbësh të armatosur rëndë i zunë pritë një patrulle policie herët të dielën, duke vrarë një oficer dhe duke plagosur një tjetër, përpara se të iknin dhe të strehoheshin në një manastir ortodoks aty pranë.
Tre prej agresorëve u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë dhe të dy u arrestuan, ku numri i personave të vendosur në pranga sot ka shkuar në tetë. Shumica e të armatosurve serbë arritën të dilnin fshehurazi nga manastiri dhe të arratiseshin në këmbë.
Zyrtarët perëndimorë thanë se incidenti reflektoi tensione të shtuara gjeopolitike në Ballkan, pasi Rusia, e frustruar nga mbështetja e fortë e Evropës për Ukrainën, përpiqet të përdorë ndikimin e saj me aleatët në Serbi dhe gjetkë për të nxitur tensionet, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë.
Hovenier tha se SHBA duhet të përcaktojë nëse Serbia ishte përgjegjëse për sulmin ndaj Policisë së Kosovës siç pretendon Kosova.
Sipas tij, pajisjet e konfiskuar nga autoritetet, e cila përfshinte raketahedhës, mina dhe një transportues të blinduar të personelit, ishte e “shkallës ushtarake të padisponueshme për qytetarin e zakonshëm.”
Ai tha se SHBA nuk ka arsye të dyshojë se armët dhe pajisjet e tjera të sekuestruara nga policia e Kosovës nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes, shkruan Policito.
Hovenier tha se përpjekjet perëndimore për të arritur paqen duhet të vazhdojnë. Duke e quajtur incidentin “jashtëzakonisht të rëndë”, ai tha se shpresonte se do të “siguronte stimuj si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për të ndjekur marrëdhënie të mira fqinjësore”.