Pothuajse e gjithë popullata armene e Nagorno Karabakut është zhvendosur në Armeni dhe banorët e dikurshëm të Republikës së vetdeklaruar të Artsakhut tashmë janë shpërndarë. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock nga kufiri mes Armenisë dhe Azerbaixhanit, shumë nga refugjatët frikësohen se lufta që i zhvendosi, nuk ka përfunduar.
Ky është Stepanakert në vitin 2020, qyteti që deri javën e kaluar ishte kryeqyteti i Republikës së vetdeklaruar të Artsakhut, shtet me shumicë armene brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbaixhanit.
Me dekada, Armenia dhe Azerbaixhani kanë luftuar për të kontrolluar enklavën, e njohur si Nagorno Karabak, apo rajoni i Karabakut.
Javën e kaluar, pas një sulmi të shpejtë, Azerbaixhani vendosi kontrollin. Mbi 100,000 banorë – shumica e popullatës armene të enklavës – u larguan për në Armeni.
“Erdha kështu siç më shihni. Nuk i kam ndërruar rrobat. Nuk arrita të marrë asgjë me vete… E kam lënë makinën atje,” thotë zoti Ashot Arushanyan, një refugjat.
Njerëzit që braktisën Nagorno Karabakun fillimisht u vendosën në qytetet kufitare të Armenisë para se të shpërndaheshin nëpër pjesët tjera të vendit, shumica në fshatrat e brezit kufitar me pak banorë.
Të tjerët refuzuan ofertat për t’u vendosur në shtëpitë buzë kufirit nga frika se përleshjet ndërmjet Azerbaixhanit dhe Armenisë do të shtriheshin deri në brendësinë e Armenisë, siç kishte ndodhur në vitin 2020.
“Në atë vit, pati bombardime të shumta gjithandej,” tha zonja Ani Aloyan, banore e fshatit Ishkhanasar.
Zyrtarët azerbaixhanas ndonjëherë i janë referuar kësaj pjese të Armenisë si pjesë e tokave “historike” të Azerbaixhanit, duke zemëruar autoritetet armene.
Këtu edhe adoleshentëve u mësohen taktikat ushtarake, si përgatitje për betejat e mundshme, që ata besojnë se mund të arrijnë tek qytetet dhe fshatrat e tyre.
Por, familjet që braktisën shtëpitë e tyre fajësojnë qeveritë e Artsakhut dhe Armenisë dhe “paqeruajtësit” rusë se dështuan t’i mbrojnë ata dhe tokën e tyre.
“Dy kunetët e mi, burri dhe vëllai im luftuan për këtë tokë, ndërkohë që armenët e dorëzuan pa luftuar,” tha refugjatja Naela Grigoryan.
Sipas banorëve të dikurshëm, është braktisur më shumë se pronat. Ata braktisën trashëgiminë kulturore, varret e të parëve dhe ëndrrën për të pasur shtetin e tyre, që kurrë nuk u realizua plotësisht.
“Atje e kalova fëmijërinë. Aty jetova deri më tani. Është vendi ku kam linjën e gjakut dhe ku është uji i atdheut tim,” tha një refugjate tjetër, Arevik Sargsyan.
Si shumë refugjatë të tjerë armenë, ajo thotë se nuk ka shpresë se do të mund të kthehet në Nagorno Karabak. Por, ajo shpreson se gjeneratat e reja do të mësojnë për historinë e shkurtë të Artsakut, një vend që, siç thotë ajo, gjithmonë do “ta thërrasë të kthehet.”