Shkodrani, i cili është trajneri më i suksesshëm në historinë e Teutës, duket në rrugën e duhur edhe këtë sezon. Në të pestën aventurë si drejtues me durrsakët, Martini ka lënë shije të mirë, pasi e ka kthyer skuadrën në shina dhe po merr rezultate të njëpasnjëshme.
Të shumtë ishin ata që deri para pak javësh e konsideronin Teutën një ekip nën mesatar, por menjëherë pas rikthimit të Martinit, situata ka ndryshuar. Skuadra e Martinit është e shtata, vetëm 3 pikë nga Europa, teksa me afrimin e tij duket sikur ka fituar identitetin që i mungonte.
Ekipi aktual, në dy ndeshje nën drejtimin e Martinit, numëron një fitore dhe një barazim, teksa do të tentojnë të marrin triumfin e radhës ndaj Erzenit, çka do t’i jepte shansin të qëndronte në pozita komode, duke u distancuar nga zona e rënies nga kategoria.
Të dielën luhet derbi me Erzenin, një përballje, ku skuadra duhet të ndërtojë vazhdimësinë dhe të vijojë pretendimet për të qëndruar pranë katërshes së parë, që të çon në “play off” për titullin kampion. Një sukses në sfidën ndaj rivalëve të përjetshëm do të ishte një bonus i madh për “djemtë e detit”.
PËRGATITJET Pas 24 orësh pushim, ekipi i Teutës është grumbulluar dje në Durrës, ku ka nisur zyrtarisht përgatitjet për takimin e javës së 8-të të Kategorisë Superiore, ku do të përballet me Erzenin. Skuadra ka zhvilluar edhe seancën e radhës stërvitore. Stërvitja e sotme filloi me nxehje të lehtë, ku përgatitësit atletikë punuan me futbollistët. Më pas lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike, nën drejtimin e Martinit. Deri të dielën në Durrës kanë mjaftueshëm kohë për t’u bërë gati për sfidën ndaj Erzenit.
GJENDJA E EKIPIT Lajmi i mirë për Edi Martinin është se infermieria është boshatisur dhe trajneri ka të plotë grupin e lojtarëve për sfidën me rivalët shijakas, teksa fatmirësisht nuk ka as të pezulluar. Ky është padyshim një luks për trajnerin Martini, që ka luksin të bëjë zgjedhjet e tij, por edhe të shohë cilësitë e të gjithë lojtarëve në këtë rikthim të tij, ku skuadra ka ndryshuar në një masë të madhe.
ZAMIR QYPI PANORAMASPORT.AL