Presidenti i SHBA-ve Xho Bajden (Joe Biden) foli sot publikisht për konfliktin e përgjakur në Izrael duke thënë se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin”.
“Nuk ka asnjë justifikim për sulmet terroriste” tha Biden në fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë, ku dënoi grupin militant Hamas për fillimin e një sulmi të befasishëm ndaj Izraelit mëngjesin e sotëm.
Ai shtoi se SHBA-të do të kenë mbështetjen e Izraelit.
“Ne do të sigurohemi që ata të kenë ndihmën për të cilën qytetarët e tyre kanë nevojë dhe ata mund të vazhdojnë të mbrojnë veten,” tha presidenti.
Biden tha se foli me kryeministrin izraelit dhe tha se mbështetja e administratës së tij për sigurinë e Izraelit “është e fortë dhe e palëkundur”.
Presidenti amerikan dekurajoi gjithashtu palët e tjera armiqësore ndaj Izraelit nga shfrytëzimi i këtyre sulmeve, transmeton CNN.
“Bota po shikon” paralajmëroi ai.
Njihuni me disa nga detajet kryesore të asaj çfarë ka ndodhur deri më tani:
Hamasi merr përgjegjësinë: Hamasi, lëvizja militante palestineze që drejton Gazën, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Militantët hodhën më shumë se 2 mijë raketa nga Rripi i Gazës në Izrael, sipas ushtrisë izraelite, ndërsa luftëtarët e Hamasit hynë në Izraelin jugor nga toka, deti dhe ajri.
Hamasi merr “pengje dhe robër lufte”: Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit ka bërë të ditur se Hamasi ka marrë “pengje dhe robër lufte”. “Ka pengje dhe robër lufte që ka marrë Hamasi. Vdekje ka edhe në mesin e ushtarëve të IDF. Nuk kemi ende një numër të saktë – jemi në luftë”, tha ai.
Përgjigja e ushtrisë izraelite: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën sulme kundër një numri objektivash të Hamasit në Gaza dhe po thërrasin mijëra rezervistë. Forcat e IDF po luftonin në terren të shtunën në të paktën gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë disa fshatra, dy baza ushtarake dhe pika kufitare.
Çfarë thotë Netanyahu: Kryeministri izraelit është zotuar se Hamasi do të “paguajë një çmim që nuk e ka ditur kurrë” për sulmin.
“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë – jo në një operacion, as në raunde, por në luftë”, tha ai në një video-mesazh.
Numri i viktimave dhe të plagosurve izraelitë: Shërbimet izraelite të urgjencës kanë bërë të ditur se është rritur në 200 numri i të vdekurve nga sulmi me raketa i Hamasit ndaj qyteteve izrealite. Ndërsa numri i të plagosurve ka arritur mbi 1.100 persona. Hamasi sulmoi mëngjesin e sotëm Izraelin duke lëshuar raketa dhe hynë në këtë vend nga toka, deti dhe ajri duke përdorur paragliderë.
Numri i viktimave dhe të plagosurve palestinezë: Ndërkohë në Gaza, Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se të paktën 230 palestinezë janë vrarë dhe 1.600 persona janë plagosur.
Alarm në të gjithë botën: Zyrtarët amerikanë e kanë parë me shqetësim sulmin në shkallë të gjerë. Presidenti amerikan Joe Biden ka telefonuar kryeministrin izraelit Netanjahun duke i shprehur mbështetjen ndërsa liderët në mbarë botën, siç ka ndodhur gjatë konflikteve të mëparshme, bëjnë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.
Brazili kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurimit: Ministria e Jashtme e Brazilit ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas sulmit të forcave të Hamasit ndaj Izraelit. Brazili, i cili mori presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë muaj, dënoi sulmet në një deklaratë publike dhe shprehu solidaritetin me popullin e Izraelit.
Antonio Guterres: Të veprojë diplomacia që të ndalet konflikti! Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë të ditur se dënon në termat “më të ashpër sulmin e sotëm në mëngjes nga Hamasi kundër qyteteve izraelite pranë Rripit të Gazës dhe Izraelit qendror, duke përfshirë hedhjen e mijëra raketave drejt qendrave të popullsisë izraelite”. Guterres kërkon të gjitha përpjekjet diplomatike për të shmangur vijimin e konfliktit.
Një datë domethënëse: Sulmi i befasishëm erdhi në 50-vjetorin e Luftës së vitit 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre, transmeton CNN.