Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.
Prokuroria Speciale theksoi se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan pas një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e paraburgimin në Hagë, ku së shpejti do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake
Ata dyshohet se u përpoqën ta bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte në gjyqin e Dhomave të Specializuara në Hagë, – thuhet në njoftim.
Zyra e prokurorit të Specializuar ka theksuar se do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht këdo që përfshihet në çështje të tilla.
Zyra e prokurorit të Specializuar shtoi se Policia e Kosovës dhe misioni i BE EULEX mbështetën operacionin.
Dhomat e Specializuara hetojnë krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar çështja ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.