Izraeli i ka shpallur luftë militantëve të Hamasit, një ditë pasi grupi palestinez goditi befasisht me një breshëri raketash, duke lënë të vrarë mbi 700 izraelitë dhe 2 mijë të tjerë të plagosur.
Kryeministri Benjamin Netanjahu deklaroi që të shtunën se vendi ishte në luftë, por ndërsa e djeshmja ishte retorikë, të dielën u mblodh kabineti qeveritar dhe doli me vendimin përfundimtar.
Netanjahu ka paralajmëruar se do të “hakmerret” për jetët e humbura dhe do t’i kthejë në rrënoja bazat ku strehohen militantët e Hamasit.
Kundërsulmi izraelit nisi që dje dhe deri tani ka shkaktuar një bilanc po aq të rëndë me viktima, mbi 370 palestinezë të vrarë, mes tyre edhe drejtues të lartë ushtarakë të grupit islamik.
Ushtria izraelite ka filluar evakuimin e banorëve që jetojnë në vendbanimet pranë Gazës dhe u ka bërë thirrje gazanëve të largohen prej qytetit, pasi mund të mbeten viktima të bombardimeve që synojnë grupin militant.
Nga ana e vet, Hamasi thotë se ka rrëmbyer qindra izraelitë, përfshirë ushtarë, madje edhe shtetas të huaj, si amerikanë, që jetonin në jug të vendit.
Hamasi mësohet se ka marrë mbështetjen e Iranit për sulmin e befasishëm ndaj Izraelit dhe në krah i kanë dalë edhe militantët e Hezbollahut, grupi që vepron në Libanin e kufizuar po ashtu me Izraelin.