Presidenti ukrainas Zelenski vizitoi Brukselin për herë të dytë që nga fillimi i luftës. Bisedimet atje do të fokusohen në vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës të sulmuar gjatë muajve të dimrit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, ka bërë një udhëtim të papritur në Bruksel për bisedime politike. Atje ai merr pjesë në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Zelenski u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa është planifikuar një takim edhe me kreun e qeverisë belge, Alexander De Croo.
Kjo është vizita e dytë e Zelenskit në Bruksel që nga fillimi i sulmit rus të Ukrainës. Ai mori pjesë për herë të fundit në një takim me krerët e shteteve dhe qeverive të BE më 9 shkurt të këtij viti dhe iu drejtua eurodeputetëve.
Aleatët e Ukrainës diskutojnë ndihmën e dimrit
Politikanë dhe përfaqësues ushtarakë nga rreth 50 vende mblidhen në fillim të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes. Konsultimet, në të ashtuquajturin format Ramstein, kryesohen nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Më pas, Këshilli NATO-Ukrainë do të mblidhet për herë të parë në nivelin e ministrave të Mbrojtjes. Tema qendrore do të jetë mbështetja për Ukrainën, veçanërisht gjatë muajve të ardhshëm të dimrit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg tha se ai priste që disa aleatë të njoftonin më shumë mbështetje.
“Ajo që shohim tani është se presidenti Putin po përgatitet edhe një herë për të përdorur dimrin si armë lufte. Kjo do të thotë, për të sulmuar sistemin energjetik, infrastrukturën e gazit,” tha norvegjezi.
Zelenski theksoi se Ukraina tani po përgatitet për dimër dhe për këtë është thelbësore mbështetja e anëtarëve të NATO-s.
“Si do ta kalojmë dimrin e ardhshëm është shumë e rëndësishme për ne,” tha ai, “kjo është arsyeja pse jam këtu sot.
Ai tha se këto ishin gjëra shumë specifike në lokacione shumë specifike gjeografike.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore janë veçanërisht të rëndësishme”, tha ai.
Përpara takimeve, qeveria gjermane i kishte premtuar tashmë Ukrainës një paketë gjithëpërfshirëse të sistemeve të mbrojtjes ajrore, tankeve dhe municioneve për ta ndihmuar atë të kapërcejë ushtarakisht dimrin.
Belgjika dëshiron të dërgojë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë
Në kuadër të bisedimeve në Bruksel, ministrja belge e Mbrojtjes Ludivine Dedonder njoftoi se vendi i saj do të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë F-16 në të ardhmen. Belgjika synon të dërgojë avionë të tillë në Ukrainë duke filluar nga viti 2025, vit në të cilin do të marrë edhe modelet e reja F-35. Ajo do të jetë gjithashtu përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe inspektimin e rëndësishëm. Ministrja e Mbrojtjes nuk specifikoi se sa avionë planifikon të dorëzojë Belgjika.
Deri tani, partnerë të tjerë, si Holanda, Danimarka dhe Norvegjia, i kanë premtuar Ukrainës më shumë se 50 avionë për luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Në trajnimin e pilotëve ukrainas janë përfshirë disa vende.